Zyrtarët e Komisionit Europian kërkojnë nga Këshilli i Europës një mandat për të negociuar me Rusinë për aspektet kryesore të operimit të gazsjellësit Nord Stream 2.  Nëse ai do të ndërtohej, Komisioni kërkon që të funksionojë në një mënyrë transparente dhe në linjë me ligjin europian për energjinë.

“Të krijojmë një treg gazi konkurrues dhe të diversifikuar është prioritet për strategjinë e energjisë së Bashkimit Europian dhe Unionin Energjitik. Nord Stream 2 nuk kontribuon në objektivat e Unionit Energjitik. Nëse gazsjellësi do të ndërtohej gjithsesi, do të duhej së paku të siguroheshim që do të operojë në mënyrë transparente dhe në linjë me rregullat e tregut europian të energjisë”, u shpreh zëvendëspresidenti i Unionit të Energjisë Maroš Šefčovič.

Sipas Komisionit Europian, Nord Stream 2 nuk ofron akses në burime të reja furnizimi dhe thjesht do të lejonte furnizuesin e vetëm të forconte pozitën në tregun e gazit. Madje ndërtimi do të rrezikonte edhe rrugën e transportit ekzistuese, si ajo që kalon përmes Ukrainës.

Parimet që KE kërkon të sigurojë për Nord Stream 2 janë:

  • Transparenca në operimin e gazsjellësit,
  • Tarifa jo-diskriminuese,
  • Një nivel i përshtatshëm jo diskriminues i aksesit për palë të treta
  • Një shkallë ndarjeje mes aktiviteteve të furnizimit dhe shpërndarjes

Strategjia e diversifikimit të tregut të gazit përqendrohet në implementimin e projekteve si Korridori Jugor i Gazit. Gjithashtu, BE preferon të mbështesë projekte që nxisin bashkëpunimin mes shteteve anëtare si ngritja e infrastrukturave të gazit në rajonin Baltik, apo linja ndërlidhëse me Polonisë dhe Lituanisë, Finlandës dhe Estonisë.