Çmimi 100 euro MW “për të joshur” investitorët RES

Interviste : Gjergj Simaku, kreu i Drejtorisë së Burimeve Energjetike të Rinovueshme në Ministrinë e Energjisë

Çdo park eolik me fuqi të instaluar në 2 MW do të ketë mundësi të shesë energjinë e prodhuar me një çmim 100 euro/MW. Qeveria shqiptare duket se ka arsyet e veta të aplikimit të këtij niveli që lidhet me nxitjen e investimeve në këtë sektor. Gjergj Simaku, drejtor i Drejtorisë së Burimeve Energjetike të Rinovueshme në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, sqaron në një intervistë për “Monitor” arsyet që “fshihen” pas këtij çmimi.

“Vende si Gjermania, Kroacia, Rumania apo dhe më gjerë, kanë çmime të larta pakice dhe konkurrueshmëria për burime pa suport financiar është e pranishme. Çmime të tilla si 180-250 EUR/MWh në tregun e pakicës kanë hapësirë të absorbojnë çmime ankandi që variojnë tek 98-110 EUR/MWh që ofrojnë këto impiante. Në Shqipëri, situata e çmimeve me pakicë nuk të jep këtë “pritshmëri” investimesh pa një suport në tarifë” vlerëson Simaku. Nga ana tjetër, ai flet për avantazhet që ka energjia diellore ku potencialisht Shqipëria mund të shfrytëzojë ditët e saj me diell dhe qindra mijë hektarë jopjellore ose që rrinë djerrë për të përfituar jo pak, por në kufijtë 250-320 mijë euro/për hektar.

Ka një interes në rritje të bizneseve shqiptare për të ngritur parqe fotovoltaikë, çka u mundëson atyre kombinim të furnizimit, duke garantuar një pjesë energjie jashtë OSHEE? Si ka qenë ky interes deri tani, sa kompani kanë aplikuar për ngritjen e parqeve që shfrytëzojnë energjinë diellore?

Absolutisht që ka. Ligji 7/2017 “Për nxitjen e burimeve të rinovueshme të energjisë” ka dalë më 2 shkurt 2017 dhe shumë shpejt sinjali i parë është në prill, kur u dhanë autorizimet e para dhe shumë shpejt mund të jemi në projekte zhvillimi të parqeve fotovoltaikë (PV) të vogla, deri në 2 MW instalim në tokë nga 1-1.5 Ha për 1 MWp (MWp – fuqia në MW në p-pik d.m.th. dielli është në parametra që përputhet me fuqinë e instaluar ku 1 MW në një orë është 1 MWh).

Zhvillime të menjëhershme kanë qenë brenda Ministrisë, e cila jo vetëm përcaktoi metodologjinë e përcaktimit të çmimit të blerjes të 1 MWh sipas zhvillimeve të këtyre bizneseve në rajon dhe Europë, por promovoi zhvillimin e tyre në përputhje me Planin Kombëtar të Burimeve të Energjisë së Rinovueshme (VKM 20. datë 27.01.2016).

Ky plan vendosi për herë të parë një kufi për zhvillimin e Burimeve të Energjisë së Rinovueshme deri në vitin 2020, jo vetëm në HEC-e të Vogla me koncesion ose jo, por edhe në energjinë diellore (PV) 50 MW dhe impiantet Eolike (me erë) 30 MW instalime. Në njëfarë mënyrë ka filluar “era e diversifikimit” të burimeve të rinovueshme dhe investitorëve të vegjël u është dhënë shansi për të aplikuar dhe për të zhvilluar këto impiante të rinovueshme, le të themi alternative për Shqipërinë.

Pak kohë më parë u nënshkrua një memorandum me BERZH për nxitjen e investimeve të qëndrueshme për gjenerimin e energjisë diellore, mund të kemi disa terma më konkretë rreth kësaj mbështetjeje që BERZH do të japë?

Po, kjo është e vërtetë dhe gjithashtu një histori suksesi. BERZHI-i është tepër i vëmendshëm lidhur me këto zhvillime, sepse ka orientuar kredidhënien me kosto të ulët drejt ekonomive me karbon të ulët dhe që për biznesin është përkrahje për zhvillim.

Në thelb, marrëveshja ka të bëjë me asistencën që BERZH do të japë në zhvillimin e ankandeve për energjinë diellore mbi 2 MW dhe jo vetëm. Si ta kuptojmë këtë?

Në kuadër të ligjit 7/2017 për nxitjen e Burimeve të Rinovueshme të Energjisë, impiantet fotovoltaike do të jepen sipas një procedure ankandi, e cila ka të bëjë me transparencën e vendosjes së çmimit të blerjes së energjisë nga operatori i tregut të liberalizuar të energjisë elektrike. Pra, del në ankand çmimi. Kjo do të thotë se duhen disa kushte për ta vendosur investitorin në dhënien e një çmimi të favorshëm për operatorin e interesuar për blerjen e energjisë nga PV të shkallës së gjerë.

Këto kushte kanë të bëjnë së pari me shprehjen e interesit për kapacitete gjenerimi të energjisë që do të thotë se është qeveria ajo që shprehet për kapacitete gjenerimi në kufij të arsyeshëm (30, 40 apo 100 MW). Së dyti, qeveria duhet të shprehet lidhur me tokën ku duhet vendosur ky impiant, duke e klasifikuar këtë tokë të lidhur me këtë projekt zhvillimi, sipas termave tashmë të përcaktuara, dhe së treti përveç pikës së lidhjes në përputhje me kodet rrjetit të energjisë elektrike qeveria duhet të shprehet për një kontratë për diferencë afatgjatë parablerje të energjisë.

Kushtet e mësipërme me siguri do të jepnin arsye maksimale për investime strategjike dhe në këtë mes, Banka do të mbështesë me kosto të ulëta të kapitalit këto investime. Kuptohet që përgatitja e termave të ankandit do të kërkonte një punë përgatitore jo vetëm nga administrata lidhur me plane të koordinuara strategjike, por edhe me bazën nënligjore relevante.

Ankandet kanë dhënë rezultate spektakolare në botë dhe Europë. Sot çmimet e energjisë të gjeneruar nga PV (dhe jo vetëm) në shkallë të gjerë kanë arritur rekorde të paimagjinueshme para disa vitesh. Ankandet në Meksikë kanë rekordin me 29 USD/MWh për 700 MWp, kurse në Gjermani ankandi i fundit flet për 62 EUR/MWh për 150 MWp. Çdo muaj ka lajme se çmimet e PV-ve po bien ndjeshëm si rezultat i konkurrueshmërisë me impiante klasike me fosile dhe me gaz. Tashmë çmimet e ofruara nga PV dhe Eolikët kanë prekur çmimet me shumicë të tregut të energjisë elektrike në Europë.

Nëse i kthehemi konkurrueshmërisë në tregun shqiptar, kjo është çështje që kërkon diskutim. Vende si Gjermania, Kroacia, Rumania apo dhe më gjerë, kanë çmime të larta pakice dhe konkurrueshmëria për burime pa suport financiar është e pranishme.

Çmime të tilla si 180-250 EUR/MWh në tregun e pakicës kanë hapësirë të absorbojnë çmime ankandi që variojnë te 98-110 EUR/MWh që ofrojnë këto impiante. Në Shqipëri, situata e çmimeve me pakicë nuk të jep këtë “pritshmëri” investimesh pa një suport në tarifë. Kjo është arsyeja pse në metodologjinë e përcaktimit të çmimit të blerjes së energjisë elektrike nga Eolikët dhe PV deri në 2 MW, qeveria vendosi të promovojë me 76 dhe 100 EUR/MWh përkatësisht këto impiante. Ndërsa lidhur me impiantet e mëdhenj (30-15 MW) është e detyrueshme të zhvillohet ankand për çmime të ulëta të cilat së pari, do të afrojnë investitorë strategjikë dhe, së dyti, do të ofrojnë çmime të ulëta krahasuar me importet.

Por nuk është vetëm aspekti tregtar në këtë mes. Përfitojmë edhe energji të pastër, përdorim të tokave që nuk kanë fryt, të cilat sipas një llogaritjeje paraprake do të gjenerojnë nga 250 – 320,000 EUR/Ha në vit nga energjia e diellit. Një aset tepër i rëndësishëm i PV dhe Eolikëve është se ata bashkëjetojnë me territorin.

Sipas kërkesave për energjinë e rinovueshme, cila është kuota që duhet të plotësojë Shqipëria?

Plani Kombëtar për Burimet e Energjisë së Rinovueshme është miratuar me VKM 27, datë 20.01.2016 dhe parashikon që energjia e rinovueshme të zërë 38% të konsumit të energjisë deri në vitin 2020. Në vitin 2016 ky objektiv strategjik ka arritur në 34.5%. Ligji 7/2017 shprehet për këtë objektiv i cili monitorohet nga një agjenci që do të caktohet me vendim qeverie dhe propozim të ministrit përgjegjës të energjisë.

A ka një studim konkret që jep detaje mbi potencialin e zhvillimit të energjisë diellore në vend, duke qenë se Shqipëria gëzon kushte optimale me një numër ditësh me diell të konsiderueshme?

Sa më sipër, Plani Kombëtar për Burimet e Energjisë së Rinovueshme 2015-2020 është studimi bazë dhe i mjaftueshëm deri më sot. Gjithsesi ky plan duhet rishikuar me politika të tjera diversifikuese në vitin e dytë (Janar 2018). MEI ka filluar rishikimin dhe është në hartimin e termave të referencës për të rishikuar këtë Plan në dritën e Ligjit 7/2017.

Kjo sepse ligji ka kërkesa specifike, që kanë të bëjnë me rregullimin e sektorit të Burimeve të Energjisë së Rinovueshme (BER), siç janë diversifikimi, agjencia zbatuese, pranueshmëria e rrjetit të energjisë, raportet me territorin, thjeshtimi i aplikimeve, kontrolli i aplikimeve dhe vendosja e objektivave të realizueshme për teknologjitë e BER, raporti me drutë e zjarrit, biomasat industriale dhe zhvillimi i biokarburanteve. Pra, ka shumë për të bërë që zhvillimi i burimeve të rinovueshme të vendoset në një shtrat të qëndrueshëm investimesh serioze.

Po për parqe fotovoltaikë mbi 2 MW a ka interes dhe a mund të jetë fitimprurës prodhimi energjisë nga dielli?

Kërkesa ka, por ende nuk është vendosur, sepse ligji parashikon ankande për çmimin dhe një sërë hapash nënligjore që duhen hedhur për t’i bërë të prekshme këto investime. Gjithsesi aplikime të tilla janë aksesuar nga MEI dhe nuk ka pasur probleme përpara se të kishte dale ligji 7/2017.

Cilat janë avantazhet që ka kjo energji?

Avantazhet janë të padiskutueshme lidhur me energjinë e diellit. Sinjalet e thatësirës janë evidente dhe flasin vetë. Mendoj se duhet që avantazhet natyrore të përputhen me tregun e energjisë dhe politika të qëndrueshme zhvillimi.

Monitor