HEC-et e vogla fitojnë gjyqin me ERE; KESH duhet t’u paguajë 6.2 mln EURO

Një sagë e gjatë seancash gjyqësore ka përfunduar në favor të prodhuesve të vegjël të energjisë, të cilëve KESH do të duhet t’u paguajë mbi 6 milionë euro nga një vendim jo i argumentuar mirë i ERE-së

Prodhuesit e vegjël të energjisë kanë fituar një çështje në Gjykatën e Lartë kundër vendimit të Entit Rregullator të Energjisë  për rregullimin e çmimit me ulje për periudhën rregullatore 2012-2014.

Me këtë vendim gjykata e detyron Korporatën Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) që të paguajë një shumë prej 860 milionë lekësh ose 6.2 milionë eurosh ndaj prodhuesve të vegjël të energjisë.

Burimet nga KESH pohojnë se ky vendim ka vënë arkën e kompanisë në vështirësi për shkak edhe të situatës jo shumë të favorshme që po kalon sektori nga mungesa e reshjeve.

Gjykata e Lartë e mori vendimin me datë 13 qershor të këtij viti dhe në seancë nuk ishte asnjë përfaqësues i ERE-së. Vendimi nuk është zbardhur akoma.

Më 2014-n Enti Rregullator i Energjisë (ERE) mori një vendim të pazakontë duke rishikuar me ulje çmimin e energjisë elektrike që KESH jep ndaj HEC të vogla deri në 15 megavatorë. Çmimi i shitjes së HEC-ve të reja deri në 15 MW për periudhën rregullatorë 2012-2014 ishte 9.3 lekë për kilovat. Me rishikimin që ka bërë Enti Rregullator i Energjisë çmimi i shitjes për vitin 2013 u llogarit me 9.73 leke/kwh dhe për vitin 2014 u rillogarit me 7.95 lekë/kwh. Rillogaritja për vitin 2014, nga 9.3 lekë u bë në 7.9 lekë, dukë shënuar një ulje rreth 14% të fitimeve që HEC-et kishin përfituar nga shitja e energjisë.

Shoqata e prodhuesve të Energjisë çoi në gjykatë këtë vendim të ERE, po gjykata e shkallës së parë ka vendosur në favor të ERE duke e zhveshur KESH-in nga shlyerja e rreth 5 milionë eurove me kursin e këmbimit të asaj kohe.

Burimet nga Enti Rregullator pohuan se, rishikimi me ulje është bërë duke marrë në konsideratë problematikën që kaloi sektori gjatë kësaj periudhe dhe çmimet më të cilat është importuar energjia nga jashtë vendit.

Shoqata e HEC-ve pati reaguar për rishikimin e çmimeve me ulje për një periudhë prapavepruese, pasi sipas tyre nuk është ligjore. Për shkak se, vendimi ka kosto, të cilat nuk ishin njoftuar më parë. Se dyti ERE nuk ka dhënë asnjë arsye për këtë rishikim të çmimit dhe së treti nuk kishte njoftim paraprak. Përfaqësuesit e HEC-ve kanë shpjeguar se, ndërkohë të gjitha detyrimet tatimore për vitin 2014 janë kryer duke marrë në konsideratë çmimin 9.3 lekë.

Por teksa vendimi në disfavor të HEC-ve u mor nga ERE, prodhuesit e vegjël të HEC-ve nisin ankimin në shkallët e gjyqësorit. Pas më shumë se dy vitesh, ata kanë marrë një gjykim pozitiv nga Gjykata e Lartë.

Por pas këtij vendimi, kompania publike e Energjisë KESH, do të përballet me vështirësi jo të zakonshme. Burimet pranë saj bëjnë me dije se shpesh vendimet të paarsyetuara mirë të ERE kanë sjellë kosto për sektorin.

KESH tani është në vështirësi financiare për shkak të rënies së shitjeve të energjisë nga thatësira e gjatë dhe gjithashtu mosrishikimi me rritje i tarifave të shitjes së energjisë sipas modelit të tregut ka sjell një ngërç të ri.

Teksa Operatori i Shpërndarjes vitin e kaluar realizoi rreth 70 milionë euro fitime, vetë kompania KESH pati një rezultat shumë më të ulët fitimesh (12 milionë euro) edhe pse logjika e tregut e kërkon ndryshe.

Shqipëria në kuadër të krijimit të tregut të përbashkët rajonal është duke aplikuar rregullore të reja për funksionimin e tregut. Tarifat dhe funksionimi i operatorëve publikë do të bëhen me logjikën e tregut të lirë, çka do të thotë se kompania e prodhimit të energjisë nuk do të subvencionojë më çmimin operatorin e shpërndarjes.

Vitin që shkoi energjia e prodhuar nga HEC-et e vogla kishte një vlerë tregu rreth 60 milionë euro dhe tani do t’i shitet direkt operatorit të shpërndarjes, duke anashkaluar kostot që krijon procesi i shitjes fillimisht të KESH, pastaj të OSHE dhe më pas të konsumatorëve final.

OSHEE tashmë ka nënshkruar kontrata për blerjen e Energjisë Elektrike me Prodhuesit me Përparësi të Energjisë Elektrike. ERE do të përcaktojë çmimin e shitjes së Energjisë Elektrike për Prodhuesit me Përparësi te Energjisë Elektrike.

Punonjësi i impiantit përkatës do t`i vejë në dispozicion përfaqësuesve të OSHEE regjistrin e leximit të matësit të Energjisë Elektrike dhe do t`i krijojë aksesin e nevojshëm për të kontrolluar Sistemin e Matjes.

Kjo kontratë do të jetë në fuqi për një periudhë 15 (pesëmbëdhjetë) vjeçare. Për subjektet që kanë një kontratë të shitblerjes së energjisë elektrike me KESH në kohën e hyrjes në fuqi të kësaj kontrate.