Investimet në Devoll, HEC-i i Moglicës me kapacitet sa dyfishi i atij të Banjës

Pas përfundimit me sukses dhe vënien në punë të HEC-it të Banjës nga kompania Statkraft në lumin Devoll, hidrocentrali tjetër që është në proces të punimeve, Moglica do të ketë kapacitet më shumë se sa dyfishi i hidrocentralit të Banjës.

Hidrocentrali i Moglicës është hidrocentrali i dytë që po ndërtohet nga Devoll Hydropower Sh.A. dhe ndodhet në Komunën e Moglicës në Qarkun e Korçës. HEC-i do të ketë një kapacitet të instaluar prej 172 MW dhe një prodhim mesatar vjetor prej 475 GWh. Teksa HEC i Banjës ka një kapacitet vetëm 70 MW, sipas burimeve zyrtare të kompanisë.

Diga e Moglicës do të jetë 320 metra e gjatë, 150 metra e lartë dhe 460 metra e gjerë. Rezervuari i Moglicës do të ketë një sipërfaqe prej 7.2 km2, e krahasueshme me 1000 fusha futbolli.

Deri më tani, kompania norvegjeze Statkraft ka investuar rreth 150 milionë euro për ndërtimin e HEC Moglicës, çka përbën thuajse gjysmën e investimit. Vetëm në HEC Moglicë janë të punësuar gjithsej 1243 persona, nga të cilët 1022 janë shqiptarë dhe 221 të huaj.

Ndërsa HEC Banja me kapacitet të instaluar prej 70 MW ka një digë 900 metër e gjatë, 370 metër e gjerë dhe 80 metër e lartë. Rezervuari i Banjës ka sipërfaqe prej 14 km2 të krahasueshme me 2000 fusha futbolli.  HEC-i ka nisur nga puna në gjysmën e dytë të vitit të kaluar.

Në përputhje me Marrëveshjen e Koncesionit, e nënshkruar dhe miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në vitin 2009, Devoll Hydropower do të zhvillojë, ndërtojë dhe operojë edhe 3 hidrocentrale në kaskadën përgjatë lumit Devoll, në juglindje të Shqipërisë.

Kapaciteti i përgjithshëm i instaluar i këtij projekti do të jetë përafërsisht 280 MW, kur të gjitha HEC-et të përfundojnë më 2019.

Ky projekt përbën një pikë referimi të rëndësishme, tërheqjen e investimeve të huaja në sektorin energjetik shqiptar dhe përmirësimin e sigurisë dhe stabilitetit të sistemit elektroenergjetik të vendit.

Devoll Hydropower, pasi të përfundojë tërësisht investimin, do të rrisë prodhimin e energjisë elektrike në Shqipëri me 17% .

Investimet  e Statkraft në HEC-et e lumit Devoll i kalojnë të 500 milionë eurot.