KESH bleu me 37 dhe shiti me 51 Euro/MWh

KESH njoftoi pak ditë më parë se do të zhvillonte procedurën e shitjes dhe blerjes së energjisë që synon optimizimin. Sipas dokumentit të publikuar nga Korporata koha e shitjes dhe blerjes së energjisë është nga data 10 deri më 30 qershor.

Në garë për këtë procedurë u futën të paktën 13 kompani por ndërsa një pjesë e mirë e tyre kanë fituar njërin apo tjetrin lot pesë janë s’kualifikuar nga procedura.

Mes emrave që u s’kualifikuan është edhe Devoll Hydropower. Por si rezultoi në fakt procedura e optimizimit.

KESH sipas kontratave do të shesë tek të tretët 18 900 megavat dhe kjo në orare që njihen si orare piku dhe ku kostoja është më e shtrenjtë. Në total për energjinë pritet të arkëtohen mbi 966 mijë euro me një çmim mesatar për megavat/orë prej 51.1 euro.

Ndërkohë KESH do të blejë po të njëjtën sasi prej 18 900 megavatesh nga të tretë gjatë orëve që kanë konsumin më të ulët dhe normalisht me një çmim më të leverdishëm.

Për këtë energji do të paguhet 707.9 mijë euro me një çmim mesatar prej 37.4 euro. Pikërisht këtë synon dhe optimizimi i energjisë duke menaxhuar në mënyrë sa më të mirë rezervën hidrike me efekte financiare pozitive.