Kina udhëheq revolucionin e makinave elektrike

Industria e makinave është përballë një momenti historik. Ekspertët e industrisë thonë se më shumë ndryshime pritet të ndodhin në 5 vitet e ardhshme se sa kanë ndodhur në 50 vitet e kaluara.

Teksa teknologjia e makinave që vetëdrejtohen po përmirësohet, ndryshimi nuk është më çështje rendjeje pas fitimeve, por është luftë për mbijetesë. Por të dish se kur të hidhesh tërësisht në një investim është shumë e vështirë.

Pavarësisht numrit në rritje të kompanive që prodhojnë automjete elektrike, konsumatorët ende nuk po tërhiqen në masë për t’i blerë dhe mbështetja e makinave që vetëdrejtohen përballet me pengesa ligjore.

Megjithatë në këtë industri, një treg ka qëndruar konsistent dhe është në rritje të vazhdueshme: tregu i shitjes së makinave në Kinë. Prej vitesh tashmë, prodhuesit e makinave kanë kuptuar rëndësinë e këtij tregu dhe tashmë Kina përbën tregun më të madh të makinave në botë.

Mbi 28 milionë automjete të reja u shitën në Kinë vitin e kaluar, çka është shumë vështirë për t’u injoruar krahasuar me 17,5 milionë makinat e shitura në SHBA.

Ndonëse qeveria kineze ka vendosur taksa të larta për makinat superluksoze, Maserati, Porsche dhe McLaren patën një vit rekordesh në shitje. Kompanitë madje janë përshtatur me kërkesat e tregut, duke zgjeruar hapësirën në sediljet e pasme për pronarët që preferojnë të kenë shoferë.

Kina është tregu numër një për makinat me katër dyer për shumë kompani, madje po nënkupton edhe një mundësi të madhe për ta për gjeneratën e re të makinave elektrike.

Qeveria kineze propozoi vitin e kaluar se deri në 2018-ën, 8% e flotës totale duhet të jetë e përbërë nga automjete me eficiencë në karburant. Ndaj Kina mund të jetë në të ardhmen udhëheqësja e një shoqërie me makina elektrike.

Edhe tek panairi i makinave në Shanghai, prodhuesit e makinave prezantuan një sërë makinash elektrike, të kombinuara me oreksin e blerësve për fuoristrada dhe gjysmë-fuoristrada.

Tashmë industria e makinave, pret vetëm një sinjal nga ekonomia më e madhe në botë për të bërë ndryshimin më të madh të këtij shekulli: zëvendësimin e plotë të motorave me djegie me ata elektrikë.