Projekti i landfillit të Tiranës, dhe aksionerët që qëndrojnë pas tij

Shoqëria “Integrated Energy B.V., me seli në Holandë u shpall dje fituese e  kontratës “Dhënia Me Koncesion E Ndërtimit Të Landfillit, Inceneratorit Dhe Rehabilitimi i Venddepozitimeve Ekzistuese Tiranë”.  Kohëzgjatja e kontratës është 30 vjet dhe vlera e ofruar nga kompania është rreth 128 milionë euro.

Për kompaninë “Integrated Energy B.V” nuk ka informacion në internet. Kompania nuk ka faqen e saj, ajo gjendet e listuar vetëm si emër kompanie dhe adresë në faqen e internetit të Dhomës Holandeze.

Por, krahas Integrated Energy B.V, partnere në këtë projekt rezultojnë dhe dy shoqëri të tjera.

Në studimin e fisibilitetit për zonën e trajtimit të mbetjeve në Tiranë, hartuar në dhjetor 2016, thuhet se Iniciatori dhe propozuesi i projektit për ndërtimin, operimin e një “ZONA E TRAJTIMIT TE “MBETJEVE TIRANE – Z.T.M.T.” është shoqeria me propozim te pakerkuar “INTEGRATED ENERGY B.V.” shpk. Aksioneret e kompanise jane “Integrated Technology Services sh.p.k.”, “Paul Wurth Italia s.p.a” & “Energy Recuperator s.p.a.

Integrated Technology Services është një kompani shqiptare, me aksioner 100% Klodian Zoto, e cila është krijuar në vitin 2010 dhe ndërkohë operon në Elbasan, në Kantierin e impiantit të përpunimit të mbetjeve urbane. Në mars të vitit 2017, kompania, që deri atëhere kryente kryesisht “Shërbime kalibrimi si dhe ngritje laboratoresh,investimin,sherbime metrologjike”, ka shtuar si objekt të aktivitetit edhe “Ndertime impiantesh teknologjike, impiante te prodhimit te energjise se rinovueshme, landfillesh per perpunimin e mbetjeve urbane dhe te rrezikshme, ndertime te impianteve te trajtimit mbetjeve me djegie (incenerator). Për vitin 2016,, ajo ka deklaruar të ardhura prej 1.3 miliardë lekësh (rreth 10 milionë euro), në katërfishim në raport me vitin e mëparshëm. Kompania kishte një total asetesh prej rreth 1.1 miliardë lekësh, nga të cilat rreth 90% ishin afatshkurta.

Dy kompanitë e tjera “Paul Wurth Italia s.p.a” & “Energy Recuperator s.p.a. janë italiane.  “Paul Wurth Italia s.p.a” Paul Wurth Italia S.p.A., me seli në Genova, është integruar Grupin Paul Wurth në korrik të vitit 2005, si rezultat i blerjes së furrës së shkrirjes, furrës së qymyrit dhe aktiviteteve direkte të ish-SMS Demag S.p.A. Ajo është e përqendruar në në menaxhimin e projekteve të mëdha për ndërtimin e impianteve të integruara, si dhe në ekzekutimin e shërbimeve inxhinierike, në fushën e furrave të shkrirjes, karbonizimit të qymyrit dhe prodhimit të hekurit.

Energy Recuperator, pjesë e  Gruppo Energy është aktiv në projektimin, prodhimin, menaxhimin dhe mirëmbajtjen e impianteve për prodhimin e energjisë elektrike dhe ngrohjes nga burimet e rinovueshme dhe lëndët djegëse fosile, me vëmendje të veçantë në industrializimin e teknologjive për sektorin e efiçiencës së energjisë.

Plani i landfillit

Sipas studimit të fisibilitetit të dhjetorit, Teknologjitë e ndryshme dhe instalimet e parapara në integrimin e Z.T.M.T (“ZONA E TRAJTIMIT TE “MBETJEVE TIRANE) janë parashikuar dhe dimensionuar për tu adresuar në menaxhimin dhe trajtimin e mbetjeve të ngurta (inerte dhe mbetje urbane) të prodhuara në rrethin e Tiranës. Z.T.M.T. është projektuar për të pritur dhe trajtuar nga 550 në 800 ton / ditë mbeturina në fillim të operimit (Viti i 1) dhe është nëgjendje të pranojë sasi më të lartë nëse është e nevojshme brenda kohëzgjatjes së koncesionit dhe në rast të një rritje të prodhimit të mbetjeve në qarkun e Tiranës.

Projekti i propozuar konsiston në ndërtimin e katër objekteve kryesore.

 Ndërtimi i impiantit të përpunimit të mbetjeve urbane (IPMU) me rikuperim të energjisë (Waste to Energy Plant- WTE) duke prodhuar energji elektrike

 Ndërtimin e venddepozitimit të mbetjeve urbane, venddepozitimin e mbetjeve pas përpunimit në termovalorizator dhe atë të mbetjeve inerte.

 Ndërtimin e impiantit të riciklimit dhe stabilizimit të mbetjeve urbane.

 Ndërtimin e impiantit të përpunimit të ujrave të ndotur.

Impianti i përpunimit të mbetjeve urbane, termovalorizator, do të jetë i përbërë nga 4 (katër) linja përpunimi të ndara. Kapaciteti i përpunimit të secilës linjë do të jetë 230 ton/ditë. Të katërta linjat do të ndërtohen në faza, linja e parë është parashikuar të fillojë punë në muajin e tetëmbëdhjetë të koncesionit. Linja e dytë është parashikuar të fillojë punë në muajin e 36 (tridhjetë e gjashtë), linja e tretë në muajin 50 (pesëdhjetë). Linja e fundit është parashikuar që të fillojë punë para muajit të 72-të. Secila linjë do të ketë një kapacitet përpunues prej 230 ton/ditë dhe në total të katërta linjat një kapacitet prej 920 ton/ditë.

Në të njëjtën kohë ndërtimi i një sistemi të venddepozitimeve është planifikuar për të garantuar hedhjen e të gjithë mbeturinave dhe pas mbylljes përfundimtare të venddepozitimit ekzistues. Venddepozitimet e reja do të jenë të ndërtuar sipas standardeve bashkëkohore të BE-së dhe legjislacionit shqiptar dhe do të parashikohen për lloje të ndryshme të mbeturinave.

Moduli i parë i venddepozitimit do të jetë operacional brenda 6 muajve nga fillimi I koncesionit. Ky venddepozitim i parë me një volum prej 1.67 milion m3 do të jetë për mbeturinat e ngurta urbane. Ai është planifikuar për një jetëgjatësi prej 6 deri në 10 vjet, dhe do të lejojë nga muaji i gjashtë i funksionimit të koncesionit pas mbylljes së landfillit ekzistues, depozitimin e mbetjeve urbane në përputhje me rregulloren e BE-së.

Ndërtimi i një sistemi të mbulimit dhe kapjes së biogazit për venddepozitimin ekzistues patjetër do të zgjidhë temën e funksionimit të një venddepozitim të mos menaxhuar dhe efektet e saj të mundshme mjedisore negative.

Z.T.M.T. do të ketë venddepozitime të tjera të planifikuara për hedhjen e hirit nga objekti IPMU dhe mbetjet inerte.

Venddepozitimi për hedhjen e hirit të gjeneruara nga instalimi i IPMU do të ketë kapacitet prej 1.8 milion m3 dhe është projektuar për një jetëgjatësi të projektuar prej 40 (dyzet) vjet.

Përveç këtyre moduleve 2 venddepozitime të mëtejshme parashikohen për të marrë material inerte dhe jo të riciklueshme të ngurta me një kapacitet total prej 900,000 m3 dhe një jetëgjatësi 40 (dyzet) vjet.

Zona

Zona e propozuar për ndërtimin e impiantit të ri të MNU-ve dhe venddepozitimit do të shtrihet në jug dhe lindje të zonës së venddepozitimit ekzistues. Zona shtrihet në një shpat kodrinor me pjerrësi të butë dhe lartësi +155 ÷ 95m mbi nivelin e detit e përshtatshme për implementimin e këtij projekti.

Zona e propozuar për realizimin e impiantit është e barabartë me rreth 120 hektarë (1200000 m2), sipërfaqja është e mjaftueshme për instalimin e infrastrukturës së nevojshme të projektit.

Kjo zonë është ngjitur me venddepozitimin ekzistues dhe është një zonë fushore dhe kodrinore pjesërisht të papërdorura dhe pjesërisht të kultivuara.

Objektet që do ndërtohen janë:

Lot A – Venddepozitimi ekzistues i Sharrës

Lot B – Venddepozitimi i mbetjeve të ngurta urbane

Lot C – Impianti i përpunimit të mbetjeve

Lot D – Impianti i riciklimit dhe stabilizimit

Lot E – Impianti i trajtimit të ujrave të ndotur

Lot F – Venddepozitimi i hireve dhe mbetjeve industriale

Lot G – Venddepozitimi i mbetjeve inerte

Lot H – Venddepozitimi i mbetjeve inerte

Ndërtimi i Z.T.M.T dhe të gjitha instalimet e tij do të kryhen në 70 muaj.

Fazat e ndërtimit

7 fazat e ndërtimit dhe operimit mund të përmblidhen në 3 hapa kryesore. Hapi I parë 2 vjet, gjatë së cilës koncesionari do të jetë i fokusuar në mbylljen e landfillit të Sharrës, ndërtimi i një landfilli të ri në përputhje me standardet evropiane, ndërtimi i linjës së parë të termovalorizatorit dhe impiantin e trajtimit të mbetjeve urbane. Ky hap i parë është parashikuar të zgjasë 22 muaj.

Hapi i dytë do të përqendrohet në menaxhimin e Z.T.M.T. operacionet, ndërtimi i një linje të dytë të termovalorizatorit, ndërtimin e një venddepozitimi për hedhjen e hirit dhe një venddepozitimi për mbetjet inerte.

Një hap i tretë, deri në muajin e 63, do të fokusohet në përmirësimin e objektit të klasifikimit dhe selektimit për optimizimin e CDR në prodhimin të energjisë në termovalorizator dhe ndërtimin e një impianti kompostimi për pjesën organike të mbeturinave të prodhuara.

Vlerësimi ekonomik

Sipas një vlerësimi paraprak, zhvilluesi pret për të trajtuar një volum prej 550-800 ton mbeturina në ditë, ekuivalente me një shumë maksimale prej 292.000 ton të mbeturinave urbane në vit. Këto mbetje do të gjenerohen nga qarku i Tiranës. Shpresat janë për një rritje pak më të lartë të sasisë së mbeturinave për shkak të rritjes së konsumit dhe të popullsisë, por ajo nuk do të ndikojë ose të tejkalojë kapacitetin maksimal të impiantit. Për më tepër, përveç procesit të djegies, do të zhvillohen aktivitetet e riciklimit, e cila pritet të ketë të njëjtën prirje si rritja vjetore e mbetjeve.

Investimi i planifikuar për ndërtimin e Z.T.M.T. është 128.248.330 euro

Objekti                                                                                 Kosto në euro

Mbyllja e venddepozitimit ekzistues       12.928.700

Termovalorizatoret                                         76.000.880

Venddepozitimi I Mbetjeve urbane        11.292.500

Venddepozitimi I inerteve                           5.668.500

Venddepozitimi I hireve                               11.292.500

Impianti I pastrimit te ujrave                       1.990.250

Impianti I diferencimit                                   1.650.000

Nenstacioni elektrik                                        1.225.000

Sheshe, rruge aksesi etj                                    5.450.000

Mjete Transporti                                              750.000

Totali                                                                     128.248.330

Me qëllim nxjerrjen rentabël të projektit të shtrirë për një periudhë kohore 30 vjecare është e nevojshme që bashkitë që do bëhen pjesë e projektit të paguajë për depozitimin e mbetjeve në impiant një vlerë prej 29.05 euro/ton pa TVSH.

Kosto prej 29.05 euro/ton mbetje do të përballohet nga buxheti i Bashkive kryesisht asaj të Bashkisë Tiranë, ndërkohë që pjesa tjetër e mbetur do ti financohet Bashkisë Tiranë nga Qeveria Qendrore.

Kryesisht mbetjet që do të depozitohen do jenë prodhim i banorëve të Bashkisë Tiranë.

Përkatësisht, për vitin e parë të operimit, Bashkia Tiranë ka marrë përsipër që do të vërë në dispozicion të pagesave për depozitimin e mbetjeve vlerën prej 1.000.000 Euro që e konvertuar në ton mbetjeve është e barabartë me pagesat që do të nevojiten për 34.365 ton/mbetje për një vit. Diferencën e pagëses për mbetjet brënda të njëjtit vit kalendarik, bashkia do ta përballojë me vlerat e financimeve që do të marrin në buxhetin e saj nga Qeverisja Qëndrore.

Shumat e vëna në dispozicion nga ana e bashkisë, janë të disponueshme dhe të sigurta që ky institucion i disponon pasi janë të ardhura nga tarifa e pastrimit që paguan çdo banor i qytetit të Tiranës si dhe kostot e operimit dhe shpenzimet që ky institucion shpenzon për ndërmarrjen përkatëse që menaxhon aktualisht landfillin e Sharrës.

Në lidhje me statusin ligjor të tokës dhe vleres se saj, në tokën në të cilën do të ndërtohet impjanti i riciklimit shteti është pronar për 60.1% të sipërfaqes, kurse pjesa tjetër prej 39.9% është pronë private, e cila do të shpronësohet me një kosto totale prej 214 milionë lekë, kosto e cila do te perballohet nga Bashkia Tiranë dhe prona do te kaloje ne favor te bashkise Tirane ne funksion te realizimit te projektit.

Pamje nga vendodhja ku do realizohet projekti.